Dritan Thomoraj është një nga ata personat e rrallë që ia ka dalë mbanë në jetë, pavarësisht vështirësive.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot historinë e Dritanit, i cili u punësua nëpërmjet Fondit Social pranë Qendrës Komunitare Multifunksionale për Fëmijët me Aftësi të Kufizuar të bashkisë Kamëz.
“Nxitja e programeve të punësimit, duke i dhënë prioritet personave me aftësi të kufizuar, kontribuon më së miri në gjithëpërfshirje dhe në integrimin e tyre në shoqëri”, deklaroi ministrja Koçiu.
Vet Dritani shpreh kënaqësinë e përfshirjes në punë, ndërsa vlerëson të qenurit pranë këtyre fëmijëve.
“Prej më shumë se një viti punoj pranë bashkisë së Kamzës në Qendrën Multifunksionale, për Fëmijët me Aftësi të Kufizuar. Për mua është kënaqësi që jam pjesë e këtij stafi dhe kësaj pune, sepse të punosh kur me njerëz me aftësi të kufizuar është një ndjesi e veçantë, sidomos kur je vet përjetues i kësaj ndjenje”, thotë Dritani.
Riintegrimi dhe gjithëpërfshirja e personave me aftësi të kufizuar është një prej prioriteteve kryesore të qeverisë dhe MSHMS-së nëpërmjet zbatimit të programeve të nxitjes së punësimit dhe kualifikimeve profesionale.
Gjatë vitit të kaluar janë punësuar 143 individë si dhe kemi mundësuar trajnimin në kurse profesionale të 116 personave me aftësi të kufizuar.
Me buxhetin e vitit 2024 ofrojmë mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre me një fond prej 17.9 miliardë lekë./ata