Agjencia Kombëtare e Pyjeve në bashkëpunim edhe me bashkitë në vend po vijon aksionin për pyllëzimin.

Kryeministri Edi Rama informoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale se në Mat u mbollën 1500 fidanë pishe të zezë, ndërsa do të pyllëzohen edhe 5 hektarë të tjerë.

“Vazhdojmë me pyllëzimet nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve dhe me angazhimin e bashkive që çdo ditë bëhen pjesë e kalendarit të Vitit të Pyjeve. 1500 fidanë pishë e zezë u mbollën në Muzhakë të Matit, një bashki që do të pyllëzojë edhe 5 hektarë të tjerë”, u shpreh Rama.

Gati 2/3 e territorit të vendit janë pyje dhe kullota dhe 80% e tyre janë pronësi e bashkive.

Viti i Pyjeve është shpallur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si një vit me fushata pyllëzimi, por edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi për qytetarët.

Më herët, viti 2022 iu dedikua pastrimit dhe mjedisit, ndërsa viti 2023 ishte viti dedikuar Vjosës, me krijimin e Parkut Kombëtar të lumit të fundit të egër në Europë./ata