SHBA është "seriozisht e shqetësuar" nga raportimet se forcat izraelite qëlluan për vdekje një adoleshent amerikano-palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se informacioni i disponueshëm aktualisht për administratën amerikane është "i pakët", por shtoi se Washington-i do të shqyrtojë vdekjen e 17-vjeçarit Tawfiq Hafiz Hajazi.

"Ne nuk kemi një kontekst të përsosur për atë që ndodhi saktësisht. Ne jemi seriozisht të shqetësuar për këtë", tha ai në një konferencë për media, duke shtuar:

"Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me homologët në rajon për të marrë më shumë informacion, por kjo është padyshim thellësisht shqetësuese".

Hajazi u qëllua për vdekje nga ushtria izraelite pranë qytezës Al-Mazraa Al-Sharqiya, në lindje të Ramallahut, sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve, Wafa. Raportohet se ai u qëllua në kokë dhe u dërgua në spital, ku iu nënshtrua plagëve të marra.

Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar mbi të shtënat.

Kirby tha se ai nuk beson se vrasja e Hajazit u diskutua gjatë një telefonate midis presidentit amerikan Joe Biden dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që ndodhi të premten.

Vrasja e Hajazit e çoi numrin e palestinezëve të vrarë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori 2023 në 369. Mbi 3.500 të tjerë janë plagosur./aa