Dy nga anijet e Marinës Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar me bazë në Bahrein janë ndeshur me njëra-tjetrën sot, sipas një deklarate zyrtare.

Gjuetarët elitë të minave të Marinës Mbretërore, HMS Chiddingfold dhe HMS Bangor, u përfshinë në një aksident kur Chiddingfold u përplas me Bangorin e ankoruar.

Në një deklaratë, Kundëradmiral Edward Ahlgren ka thënë: “Jam në dijeni të një incidenti të fundit që ndodhi midis dy gjuetarëve të minave në portin e Bahreinit”.

“Së pari, do të doja të theksoja se fatmirësisht askush nuk u lëndua nga përplasja, por disa dëme u pësuan”, ka thënë Ahlgren.

Ushtaraku ka theksuar se “një hetim i plotë tashmë është duke u zhvilluar dhe çdo ndryshim në procedurë që mund të parandalojë incidente të mëtejshme do të zbatohet me shpejtësi”.

“Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të luajë një rol kyç në garantimin e sigurisë së transportit tregtar në rajon”, ka shtuar Ahlgren.

Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit, thuhet në deklaratë.

Të dy anijet janë në Gjirin Persik si pjesë e Operacionit Kipion, prani afatgjate ajrore dhe detare e Mbretërisë së Bashkuar në Gji dhe Oqeanin Indian.

Britania ka ndjekur hapat e SHBA-së, e cila ka forcuar praninë e saj detare në rajon që nga 7 tetori, kur Izraeli filloi një luftë shkatërruese në Rripin e Gazës./aa