Forcat detare izraelite kanë shënjestruar një varkë peshkimi palestineze në brigjet e Gazës jugore, duke dëmtuar anijen.

“Një anije ushtarake izraelite hapi zjarr të fortë ndaj një varke peshkimi palestineze, derisa peshkatari u përpoq të shmangte të shtënat me armë zjarri dhe e nxori me shpejtësi varkën nga deti”, raportoi një korrespondent i Anadolu-t për incidentin, i cili ndodhi në brigjet e qytetit Khan Younia të Rripit të Gazës.

Zjarri i vazhdueshëm izraelit dëmtoi rëndë anijen që po ikte drejt bregut.

Mes mungesës së madhe të ushqimit në Gaza derisa Tel Avivi vazhdon sulmet në territorin palestinez, forcat detare izraelite kanë kufizuar ashpër aktivitetet e peshkimit të palestinezëve në brigjet e Mesdheut të enklavës së bllokuar dhe rrethuar.

Më 9 nëntor, dy trupa të peshkatarëve palestinezë u gjetën të vrarë në një sulm izraelit që shënjestronte varkën e tyre pranë qytetit Rafah në Rripin e Gazës jugore.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) ka paralajmëruar se popullsia në Rripin e Gazës veriore është “në prag të urisë dhe nuk ka ku të shkojë” për shkak të luftës së vazhdueshme.

Sulmet izraelite kanë vazhduar pandërprerë në enklavën palestineze, megjithatë edhe dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar katastrofën humanitare.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, ku deri më tani janë vrarë të paktën 29.606 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe janë plagosur rreth 69.730 të tjerë.

Lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Për herë të parë që nga krijimi i tij në vitin 1948, Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në Gaza. Një vendim i përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa