Sulmet tokësore, ajrore dhe detare të forcave izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës kanë vazhduar për të 106-ën ditë, duke lënë pas njerëz të vdekur dhe të plagosur dhe shkatërrime të mëdha.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, dhjetëra palestinezë, përfshirë fëmijë dhe gra, humbën jetën në sulmet izraelite që vazhduan gjatë gjithë natës.

Të vdekur dhe të plagosur ka pasur nga sulmet në shumë shtëpi në Karara të qytetit Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Për më tepër, një palestinez ka humbur jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga një dron izraelit në Khan Younis, ndërkohë që rrethinat e Spitalit Amal janë tronditur nga sulme të forta.

Zonat Beni Suheyla, Ez-Zenne, Absan, Batn es-Semin në lindje dhe jug të qytetit u përballën gjithashtu me sulme ajrore dhe zjarr artilerie.

Forcat izraelite, në përpjekje për të hyrë në zonat e brendshme të Beni Suheylas, hasën në rezistencë të armatosur nga grupet e rezistencës palestineze dhe në rajon ndodhën përleshje intensive.

Qyteti Jibaliya në veri të Rripit të Gazës ishte gjithashtu objektiv i dhjetëra predhave të artilerisë./aa