Maqedonia e Veriut dhe Italia nënshkruan Marrëveshjen teknike për përfshirjen e Forcave Ajrore Italiane në misionin e patrullimit ajror të NATO-s mbi qiellin e Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja u nënshkrua në qendrën e trajnimit të pilotëve në kazermën që ndodhet pranë aeroportit të Shkupit nga ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska dhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Në deklaratë për media pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja Petrovska tha se vendimi që edhe Republika e Italisë me forcat ajrore ti bashkohet misionit të NATO-s për patrullimin ajror është marrë në mesin e vitit të kaluar.

“Shpesh përmendim se aleanca është një shfaqje e bashkimit dhe unitetit, por fjalët nuk mund të pasqyrojnë atë që mund të shohim në veprim. Avionët italianë dhe grekë, në koordinim me Forcat Ajrore Maqedonase, garantojnë sigurinë e qiejve mbi Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Petrovska.

Ajo shprehi kënaqësinë për bashkëpunimin e fuqishëm me Italinë, duke theksuar se “fakti që avionët italianë do të garantojnë sigurinë e hapësirës sonë ajrore është, një shfaqje e besimit të plotë të ndërsjellë”.

Ministri italian Crosetto u shpreh se ndjehet i nderuar që nënshkruan marrëveshjen “historike” që parasheh përgjegjësinë italiane ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Italia, së bashku me Greqinë, marrin përsipër përgjegjësinë për të mbrojtur qiejt e Maqedonisë së Veriut dhe kjo dëshmon më shumë se çdo fjalë se sa e rëndësishme është të rreshtohesh brenda NATO-s. Sepse të jesh aleat do të thotë të vësh në dispozicion forcat e tua për vendet e tjera për t'i mbrojtur sa herë që ka nevojë për këtë”, tha Crosetto.

Ai shtoi se Italia është e nderuar që punon në këtë drejtim dhe është e nderuar për besimin që Maqedonia e Veriut ka në Italinë./aa