Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun i Partisë Demokratike, Ervin Kulluri reagoi sot ndaj një postimi në rrjetet sociale të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Spiropali u shpreh në postimin e saj se SPAK nuk preket ndërsa “të tjerat janë tym nga ballkoni mbi rrugicë, thashetheme nga ranishtja në gji të Lalzit dhe jerm nga ëndërrzgjëndra e Lulit”.

Sipas Kullurit, Spiropali mundohet të fshehë përpjekjen e Ramës për të zgjeruar pushtetin e tij.

“Kuvendi e ushtron kontrollin mbi institucionet përmes thirrjes në interpelanca, komisionet parlamentare dhe komisioneve hetimore që po i asfiksojnë akoma më përmes ndryshimeve në Ligjin per Komisionet Hetimore qe dekretoi Presidenti. Parlamenti nuk është administratë publike si pretendon mazhoranca por përfaqësues i vullnetit te qytetarëve. Ndaj dhe kemi kërkuar forcimin e rolit të tij permes ndryshimit të Kodit Zgjedhor me anë të “listave të hapura” apo barazise së votes dhe votës së diasporës”, u shpreh Kulluri.

“I bëjmë thirrje mazhorances të respektojnë parimin bazë demokratik perëndimor të balancës mes pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor”, tha Kulluri./ata