Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja njofton rifillimin e punës së Arkivës Qendrore Shtetërore të Filmit. pas 10-të vitesh ndërprerje.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja deklaron se kjo drejtori rinis traditën e botimeve të librave dhe materialeve të tjera publicistike.
“Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit Pas 10 vitesh ndërprerje, AQSHF rinis traditën e botimeve të librave e materialeve të tjera publicistike që kanë në përmbajtjen e tyre të dhëna arkivore mbi kinematografinë shqiptare. Dhe, e filluam me “fillimet”…”, shkruan Gonxhja.
“Në vitin 1898, Janaq Manaqi (1878-1954) çeli në Janinë të parën studio fotografike. Një vit më pas, më 1899, u bashkua me të edhe vëllai i tij i vogël, Miltiadhi (1880-1964). Në vitet 1903-1904, vëllezërit Manaqi e zhvendosën studion nga Janina në Manastir, duke qenë se Manastiri në atë kohë ishte kthyer në një qendër të rëndësishme ekonomike. Aty njihen me kineastin anglez Charles Rider Noble të shoqërisë kinematografike “Charles Urban Trading Company” dhe mësojnë nga ai përdorimin e kamerës”, vijon Gonxhja.
“Janaqi udhëton për në Londër dhe blen atje të parën kamerë Bioscop 300, me të cilën nisin të xhirojnë filma dhe t’i shfaqin në Janinë e Manastir. Filmi i parë i xhiruar në Ballkan është “Tjerrëset” ku vëllezërit Manaqi kanë fiksuar në kamera gjyshen e tyre 114 vjeçare, Dhespina, dhe gratë e tjera të fshatit të tyre të lindjes, Avdela, duke punuar leshin”, shprehet Gonxhja.
“Këto dhe të tjera fakte interesante i gjeni në librin e studiuesit Abaz Hoxha “Fillimet e kinemasë në trevat shqiptare (1897 – 1945)”, botim i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit”, nënvizon Gonxhja.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit sqaron po ashtu se në fotot e publikuara në rrjetin e tij sociale janë Miltiadh dhe Janaq Manaqi me paratë e biletave të kinemasë së tyre. Ato janë të marra nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut – Departamenti i Manastirit, Fondi 580: Vëllezërit Manaki.
“Libri mund të studiohet pranë bibliotekës së AQSHF-së si dhe pranë librarisë Berk. Së shpejti edhe në e-Book”, përfundon Gonxhja./ata