Në Ditën Ndërkombëtare të Bletës, në Rrëshen u organizua sot një panair i veçantë kushtuar këtij sektori, që bëri bashkë bletarë nga treva të ndryshme të Shqipërisë, të cilët promovuan prodhime të mjaltit me shije dhe karakteristika të rajoneve që përfaqësonin.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale momente nga ky aktivitet, teksa shprehu mbështetje dhe inkurajim për zhvillimin e këtij sektori.

“Me bletarë të zonës në këtë ditë të rëndësishme për ta, ku inkurajimi dhe mbështetja do të jenë prioritet yni”, shkroi Denaj.

Panairi, nën logon “Turizmi në Bletari”, u organizua nga Federata Kombëtare e Bletërritësve të Shqipërisë, në bashkëpunim me bashkinë e Rrëshenit, përcolli larmi aktivitetesh kushtuar kësaj dite të shënuar për bletarët.

“Mbështesim me politika fiskale me TVSH zero për bletët në import. 4323 bletarë aplikuan për mbështetje në Skemën Kombëtare 2024. Në vitin 2023 u rrit me 8,3% numri i koshereve krahasuar me 2022. Ndërsa prodhimi i mjaltit u rrit me 4.5%”, bëri të ditur Denaj.

Bletaria, një nga aktivitet kryesore ekonomike në vendin tonë, regjistron një vlerë kapitali në investime që arrin në mbi dhjetëra-milionë euro./ata