Mijëra pushues që kanë zgjedhur Durrësin për të pushuar, po marrin shërbim në qendrat shëndetësore verore të hapur në qytetin bregdetar.
Ministrja e shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale opinionet e qytetarëve për shërbimin që ofrohet nga stafet mjekësore në këto qendra.
“Nga bregdeti i Durrësit me opinionet e pushuesve që marrin shërbim shëndetësor në 34 qendrat tona verore të hapura 24/7 nga veriu në jug të Shqipërisë”, shprehet Koçiu.
Në videon e publikuar nga Koçiu, një i moshuar u shpreh se “jam vizituar tek qendra shëndetësore, kisha një plagë, ma mjekuan, më thanë të shkoj përsëri për mjekim deri sa të shërohet. Shumë mirë që është ngritur qendra, shërbimi dhe sjellja e doktoreshës jashtëzakonisht e mirë”.
“Sa herë kam një problem shkoj për të matur tensionin këshillohem me doktoreshën. Ngritja e qendrës ishte e domosdoshme”, tha një qytetar.
Një tjetër qytetar tha se “dy ditë më parë ishte një rast shumë i shpejtë, erdhën infermieret i dhanë ndihmën e shpejtë një vajze të vogël, ishte diçka e mirë”.
Nga 1 qershori deri më 28 korrik, në 34 qendrat shëndetësore verore janë kryer mbi 35 000 konsulta mjekësore për turistët vendas dhe të huaj./ata