Komuna e Prishtinës ka dalë me një ekspertizë lidhur me arsyet e rënies së kulmit të ndërtesës së saj, pas kërkesës nga kryetari komunës, Përparim Rama.

Rama në një konferencë për media tha se në ditën kur ndodhi rasti në fjalë nuk ka qenë në Prishtinë, por ka kërkuar nga ekspertët e fushës, Visar Geci dhe Gëzim Kastrati, të bëjnë një analizë preliminare për këtë çështje.

Nga rrëzimi i kulmit ka pësuar lëndime trupore një qytetare, për të cilën kryetari Rama tha se aktualisht ajo është në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me gjendje të qëndrueshme, por me rrezik të lartë.

Rama shtoi se sikur të mos merreshin masat urgjente pas rënies së kulmit do të mund të kishte edhe djegie të objektit.

“Do të shohim edhe në objekte të tjera që mund të kenë probleme të tilla, të krijojmë struktura të reja që i analizojmë në numër më të madh të ndërtesave që janë pranuar teknikisht, të shohim a kemi problem masovik apo problemi ekziston në disa pika të ndryshme”, tha kreu i Prishtinës.

Geci, njohës i ndërtimit, tha se kulmi ishte për disa centimetër jashtë mureve të objektit me arsyen që të mbrohej ndërtesa nga shiu dhe bora, por kjo gjë u bë problem për shkak se era me fuqi të lartë depërtoi nën kulm duke e zhvendosur atë.

“Ka qenë frymë shumë e madhe prandaj ka mundur ta bëjë një dëm të tillë. Problemi kryesorë ka qenë se brinaket e kulmit nuk kanë qenë të lidhura për muri, ato vetëm kanë pushuar mbi muret e ndërtesës. Kjo është e ngjashme sikur të dalësh me një kapelë të pa-lidhur në ambient ku ka frymë dhe normalisht që era do të ta heq kapelën”, theksoi Geci.

Pasditen e 18 janarit me rënien në tokë të një pjesë të kulmit të ndërtesës së komunës u lëndua qytetarja 23-vjeçare, ndërsa po ashtu u dëmtuan edhe disa automjete të cilat ishin në afërsi./aa