Drejtuesit e makinave elektrike do ta kenë më të lehtë t’i karikojnë automjetet e tyre në shtëpi dhe në punë në vitet e ardhshme, pas rishikimit të Direktivës së Performancës Energjetike të Ndërtesave (EPBD) nga Komisioni Evropian.

Direktiva synon ta vendosë Evropën në rrugën drejt dekarbonizimit të plotë deri në vitin 2050. Ajo ka identifikuar veçori që duhet të kenë të gjitha ndërtimet e reja, si dhe ato që i nënshtrohen rinovimit. Pra, të gjitha ndërtesat e reja, si dhe ato ekzistuese që i nënshtrohen rinovimit të madh, tani duhet të instalojnë instalime elektrike paraprake për pikat e karikimit të makinave elektrike.

Kjo mbulon të gjithë hapat e nevojshëm për të mundësuar instalimin e pikave të karikimit. Përveç kësaj, të gjitha ndërtesat e reja dhe të rinovuara me më shumë se pesë vende parkimi makinash duhet të kenë të paktën një pikë karikimi për çdo pesë hapësira dhe instalime elektrike për të paktën gjysmën e hapësirave. Zyrat me më shumë se pesë vende parkimi duhet të instalojnë të paktën një pikë karikimi për çdo dy vende parkimi.

Direktiva synon gjithashtu që ndërtesat ekzistuese jorezidenciale me më shumë se 20 vende parkimi të kenë të paktën një pikë karikimi për 10 vende deri më 1 janar 2027 dhe instalime elektrike paraprake për 50% të hapësirave. Gjithashtu, ndërtesat në pronësi private ose në pronësi të subjekteve publike duhet të kenë instalime elektrike për të paktën gjysmën e hapësirave të tyre të parkimit deri më 1 janar 2033.

Këto pika të reja karikimi duhet të jenë në gjendje të ofrojnë karikim inteligjent, i cili do të lejojë që automjetet elektrike të karikohen nga burime të rinovueshme të energjisë, duke mbështetur gjithashtu karikimin e dyanshëm.

Direktiva e rishikuar fillimisht duhet të publikohet në Gazetën e BE-së dhe do të hyjë në fuqi disa ditë më vonë. Shtetet anëtare të BE-së do të kenë më pas dy vjet për ta përfshirë atë në legjislacionin e tyre. /tesheshi.com/