Deputetë të Lëvizjes për Liri në Parlamentin e Sllovenisë bënë thirrje për njohjen e Palestinës, duke theksuar se nuk ka më justifikime për pavendosmëri.

Përpos deputetëve të Lëvizjes për Liri, parti e djathtë që ndodhet në pushtet, edhe deputetë nga e majta ka kohë që kërkojnë njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Palestinës.

Grupi i deputetëve nga Lëvizja për Liri, në një letër publike ku i bën thirrje qeverisë të njohë Palestinën si një shtet të pavarur dhe sovran, thotë se Gaza është bërë "një kamp i madh përqendrimi, një varrezë për fëmijët dhe një turp për njerëzimin".

Siç paralajmërojnë deputetët e partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, "pesë muaj pas sulmit terrorist të Hamasit ndaj civilëve izraelitë dhe rrëmbimit të pengjeve", dhuna ndaj palestinezëve në Gaza vetëm sa po intensifikohet, ndërsa numri i të vrarëve, të plagosurve dhe të zhvendosurve po rritet, teksa shprehin bindjen se nuk ka më asnjë justifikim për veprimin hezitues të komunitetit ndërkombëtar.

"Ne nuk mundemi më të shikojmë pafuqishëm, prandaj i bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Sllovenisë që të njohë Palestinën si një shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve para pushtimit izraelit në vitin 1967”, kanë kërkuar nga grupi përfaqësues i Lëvizjes për Liri.

Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, duke komentuar thirrjen e fundit për ta njohur Palestinën, të bërë në tetor të vitit të kaluar, vlerësoi se një njohje e mundshme duhet të arrihet me konsensus dhe shtoi se nuk ishte ende prioritet në atë moment.

Palestina njihet si një shtet i pavarur dhe autonom nga 138 vende, por vetëm disa anëtarë të BE-së janë në mesin e tyre. Suedia e njohu Palestinën në vitin 2014, ndërsa bashkë me Shqipërinë, edhe Malta, Qiproja, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Polonia e njohën atë në vitin 1988./aa