Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar mbi situatën në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, do të kryesojë mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme.

Janë planifikuar shkëmbime jozyrtare me ministra dhe përfaqësues të tjerë nga vende të ndryshme, përfshirë ministrin ukrainas të Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, ministrin izraelit të Punëve të Jashtme, Israel Katz, ministrin saudit të Punëve të Jashtme, Princi Faisal bin Farhan Al Saud, ministrin egjiptian të Punëve të Jashtme, Sameh Shoukry, ministrin jordanez të Punëve të Jashtme, Ayman Safadi dhe ministrin palestinez të Punëve të Jashtme, Riyad al-Maliki.

Në hyrje të takimit, Borrell u tha gazetarëve se ky takim do të jetë i “jashtëzakonshëm” me pjesëmarrjen e shumë të ftuarve nga Lindja e Mesme.

“Sa është shumë… sa kohë do të vazhdojë”, tha Borrell, duke iu referuar viktimave civile dhe konfliktit.

Ai theksoi se ministrat duhet të fillojnë të flasin për paqen dhe zgjidhjen me dy shtete.

“Paqja dhe stabiliteti nuk mund të ndërtohen vetëm me mjete ushtarake”, shtoi ai.

Ministrja belge e Punëve të Jashtme, Hadja Lahbib, nga ana e saj, përsëriti thirrjen e vendit të saj për një armëpushim të menjëhershëm dhe për përpjekje për një zgjidhje me dy shtete.

Ndërkaq, ministri francez i Punëve të Jashtme, Stephane Sejourne, tha se Ukraina është një “prioritet absolut” për Parisin dhe shprehu shpresë për sanksione të mundshme kundër kolonëve të dhunshëm izraelitë, veçanërisht në Bregun Perëndimor.

Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një inkursioni ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 25.105 palestinezë dhe duke plagosur 62.681 të tjerë.

Ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërkohë që 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa