Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedim me mediet shqiptare nga Shkupi, foli për takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE-së që u zhvillua në Shkup, Maqedoni e Veriut.

I pyetur mbi praninë në këtë tryezë të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Rama tha se nuk duhen trajtuar këto marrëdhënie si të natyrës personale.

“Këtu nuk ka asnjë gjë personale. Është hera e parë që jam në një darkë së bashku me të dy dhe nuk më rezulton se ndodhi ndonjë gjë tjetër përveçse u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve, ashtu sikundër ky format dhe këto kërkesa që ka sot BE janë për të gjithë ne, për të na dhënë mundësinë që ne të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik e financiar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi rëndësinë e integrimit të vendeve brenda rajonit.

“Kjo flet vetë për atë që më ka rënë goja, që ne duhet të integrohemi brenda rajonit që të jemi gati kur të duhet të bëjmë një hap më tej në BE. Nëse ne do të kishim bërë të gjitha gjërat që duhet të kishim bërë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar mekanizmin e Ballkanit të Hapur si një mekanizëm pune për të vënë në jetë ato direktiva të Procesit të Berlinit, sot do të ishim gati”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk jemi gati sepse kemi humbur shumë kohë dhe harxhuar shumë energji duke u marrë me terminologji, gjëra që në fakt janë rezultat i mungesës së vizionit strategjik të përbashkët të gjithë anëtarëve të komunitetit prej 6 vendesh dhe mungesë e dëshirës për të ndarë çështjet e brendshme me këtë çështje kaq të madhe që është sa e brendshme aq edhe e përbashkët”.

“BE na e ka bërë shumë të qartë se nëse nuk do të jemi bashkë, kush do të bëhet shkak do të penalizohet. Do të penalizojë vetveten se nuk do të përfitojë dot. Në këtë aspekt, unë besoj që kjo që ka ndodhur këto 24 orë shumë pozitive, qoftë darka e mbrëmshme dhe qoftë dhe dita e sotme, kjo duhet t’i thotë diçka të gjithë atyre që në vend se të merren me përmbajtjen kur bëjnë komente, kur bëjnë kritika, kur bëjnë analiza, kur bëjnë gjyqe publike, qoftë si individë në rrjete sociale, qoftë si zëdhënës të publikut nëpër klube mediatike, të kuptojnë se e vërteta është që asgjë e keqe nuk ndodh nga të takuarit dhe nga të folurit dhe në fund të ditës, paqja dhe bashkëpunimi është në interes të të gjithëve, ndërkohë që konflikti dhe ndasia është vetëm në interes të politikanëve për një kohë të shkurtër, jo për një kohë shumë të gjatë”, shtoi ai./ata