Policia e Shtetit vijon megaoperacionin antikanabis i koduar “FOKUSI”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Kontrollet gjatë 72 orëve të fundit janë zhvilluar në malësinë e Krujës, në qarkun Shkodër, në qarkun Lezhë dhe në Tropojë, në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella.
Në megaoperacion janë angazhuar 7000 punonjës policie dhe 90 dronë të cilësisë së lartë, për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve dhe përdorimit të dronëve, janë asgjësuar në total 24 220 bimë narkotike cannabis sativa.
-Po gjatë kontrolleve, në territorin e fshatit Arst, Pukë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 29 kilogramë kanabis në formën e boçeve. U shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi N. H., si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për kryetarin e fshatit Arst, shtetasin K. B., për shpërdorim detyre.
✅Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 13-të të megaoperacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 15 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz. Si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë, Fushë Arrëz. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e tjera të kësaj veprimtarie kriminale.
✅Në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 35-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 4630 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme.
✅Në qarkun Lezhë, si rezultat i fazës së 33-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u asgjësuan në total 4000 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në disa fshatra të ndryshme të rretheve Lezhë dhe Kurbin.
✅Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 7-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 252 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkisë Tropojë.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e kësaj veprimtarie kriminale.
Policia e Shtetit do të intensifikojë kontrollet në të gjithë vendin, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të marrë informacion në lidhje me tentativat për kultivim të bimëve narkotike, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo rasti të kësaj veprimtarie kriminale.
Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë.