Dialog në emër të sfidave të vendit në rrugën drejt integrimit evropian. Ky ishte mesazhi i kryeparlamentares Lindita Nikolla për palët politike, përgjatë një takimi me ambasadorin e BE Silvio Gonzato, të cilin e priti sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Nikolla dhe Ambasadori Gonzato diskutuan mbi arritjet dhe sfidat e integrimit europian të Shqipërisë, pas përfundimit të procesit të screening.

Kryetarja Nikolla i uroi Ambasadorit Gonzato suksese në misionin e tij në Shqipëri dhe shprehu besimin se, nën lidershipin e tij, bashkëpunimi i Kuvendit me Delegacionin e BE-së në Tiranë dhe institucionet europiane do të vijë duke u rritur.

“Kuvendi po punon për lehtësimin dhe forcimin e dialogut politik mes palëve, për të përballuar bashkarisht sfidat e integrimit europian, të aspekteve politike e teknike të procesit të negociatave. Bashkëpunimi mes grupeve parlamentare në Kuvend do të lehtësojë edhe avancimin dhe thellimin e reformave, modernizmin e procesit të ligjbërjes dhe rritjen e transparencës së veprimtarive parlamentare.” u shpreh Nikolla.

Ambasadori Gonzato vlerësoi ecurinë shumë të mirë të procesit të screening dhe performancën e lartë të institucioneve shqiptare në bashkëpunimin me institucionet e BE-së.

Kryetarja Nikolla dhe Ambasadori Gonzato diskutuan edhe për bashkëpunimin e Kuvendit me Parlamentin Europian dhe institucionet e BE-së për modernizimin e shërbimeve parlamentare, për të përballuar më mirë sfidat e Kuvendit për thellimin e reformave dhe procesin e integrimit europian.