Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me kërkesën e deputetes së Partisë Demokratike Ina Zhupa, për të mbledhur urgjentisht Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë, për të diskutuar investigimin e kryer nga RAI3, ku përmendej edhe Shqipëria.

Sipas Spiropalit, opozita kërkon që baltën e sulmit mbi Shqipërinë në RAI3 të gatuar në Tiranë, ta servirë në parlament për të kërkuar hesap. Por sipas Spiropalit, mazhoranca nuk do të bëhet pjesë e kësaj loje. Sipas saj, kjo është një pabesi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Plani i ahengut për t’iu gëzuar sulmit mbi Shqipërinë në RAI3, pas mbështetjes së tij me municion nga rruga e humbur e Shpresës së të pashpresëve, qenka i shtrirë edhe përtej kërkesës për interpelancë urgjente me kryeministrin”, shkruan Spiropali.

“Zonja që ka qëndisur këtë çarçaf për Komisionin e Medias, kërkon të na e vërë përpara në tabaka Shqipërinë e përbaltur nga ai emision italian i gatuar në Tiranë, për të na kërkuar hesap për gënjeshtrat dhe shpifjet e palës që ajo përfaqëson. E ndaj këtë me ju për t’ua lënë juve ta gjykoni se deri ku shkojnë këta kolegë pa dhe me vulë për të damkosur Shqipërinë që të helmojnë shqiptarët në kërkim të rrugës së humbur të saj e të kolegëve të saj që e kanë pagëzuar me emrin Shpresa”, vijon Spiropali.

“Ndërkohë mund t’u them se mund ta vazhdojnë pa ne, ushqimin e Shpresës së tyre me këtë histori të shëmtuar pabesie ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, me të cilët janë deri në fyt të mbytur me borxhe”, përfundon Spiropali reagimin e saj./ata