Talenti 18-vjeçar me origjinë nga Shqipëria, Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare Rudi Vata, të dielën realizoi golin e parë si profesionist me ekipin e Celtic. Mesfushori sulmues gjeti rrjetën në ndeshjen e kupës kundër Buckie Thisle të fituar 5-0, ndërsa nga Skocia babai i tij, Rudi, në një intervistë për Report TV tregoi sesi u përjetua në familje ky moment.
“Moment i veçantë për familjen sepse ishte goli i parë me skuadrën e Celtic. Sigurisht që ishte moment i veçantë dhe për Rocco-n. Shpresoj të jetë fillimi i një rrugëtimi të bukur dhe të gjatë në lojën e futbollit,”-u shpreh Rudi Vata.
Rudi Vata, njëkohësisht ish-kapiten i Celtic-ut zbuloi se prej kohësh 18-vjeçari ndiqet nga disa ekipe në Europë, ndërsa me golin e realizuar ka shumë mundësi të transferohet që në merkaton e janarit.
Ka muaj që ndiqet nga shumë skuadra. Në Seria A ka shumë skuadra që e kanë në listën e tyre. Atalanta dhe Bologna janë dy prej tyre që kanë një projekt teknik për Rokon. Kohët e fundit në lojë është futur edhe Como në Seria B, i cili është tepër i interesuar,”-deklaroi Rudi Vata.