Nis puna për digjitalizimin e mbi 400 objekteve të vlerësuara si pasuri kulturore, që janë sekuestruar nga operacione të ndryshme policore.
“Nis puna për digjitalizimin e mbi 400 objekteve të sekuestruara të vlerësuara si pasuri kulturore në laboratorin që shërben për digjitalizimin e objekteve që do t’i nënshtrohen restaurimit, e që sot gjenden në muze dhe site arkeologjike”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa ndau foto nga objektet që do të digjitalizohen.
Ndërsa ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ditën e djeshme u shpreh se, “Implementimi i teknologjisë së avancuar, të metodave RTI dhe 3D, në Njësinë Kombëtare për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore, projekt i mbështetur nga AADF “Të fuqizojmë muzetë përmes teknologjisë”, ofron mundësinë jo vetëm për një dokumentim më të mirë të objekteve, por ndihmon në identifikimin e thelluar të elementeve, detajeve të fshehura apo prejardhjen e tyre duke ruajtur identitetin digjital të trashëgimisë së vyer kulturore”./ata