Ish-kryeministri Sali Berisha mbërriti në SPAK ndërsa la banesën ku ndodhet në arrest shtëpie për t’u drejtuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, ku do të merret në pyetje nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, të cilët po hetojnë dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Berisha do të shoqërohet nga avokatët e tij gjatë marrjes në pyetje. Ai ndodhet prej datës 28 dhjetor në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet nga SPAK për veprën penale të korrupsionit.

“Beteja pa kthim vazhdon”, tha Berisha për mediet, ndërsa u largua nga banesa teksa  shoqërohej dhe nga dy automjete të Policisë së Shtetit. Kjo është hera e parë që Berisha shkon në ambientet e SPAK, për të dhënë dëshminë e tij mbi hetimin e nisur nga prokuroria e Posaçme mbi veprimet e ndjekura nga ish-kryeministri gjatë procedurave për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Më datë 25 janar, pritet që në SPAK të shkojë për t’u marrë në pyetje edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili edhe ai është nën hetim në  të njëjtën dosje.

Vetë Berisha ka ankimuar masën e sigurisë, duke kërkuar shuarjen e saj për shkak se detyra e tij e deputetit kërkon praninë e tij fizike në seancë plenare. Po ashtu, ai ka kërkuar leje për të shkuar në Kuvend. Janë dy kërkesa që pritet të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Jam këtu për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin e organizuar në këtë ndërtesë, që angazhohet në betejë kundër pluralizmit”, u shpreh Berisha në hyrje të SPAK ndërsa foli për mediet dhe mbështetës të tij.

“Jam sot këtu për të përfaqësuar ju, përfaqësuar shqiptarët, përfaqësuar pluralizmin, Partinë Demokratike”, u shpreh Berisha./ata