Nuk ishte një finale ëndrrash, nuk e kishte as entuziazmin e një finale të madhe, kjo për vetë faktin që u zhvillua në një tokë të huaj, u shit në Riad për më shumë para, por në fund një trofe është gjithnjë një trofe. Inter thyen 1-0 Napolin në finale, i shton koleksionit të klubit një tjetër trofe të Superkupës, i 7 në histori. Simone Inzaghi konfirmohet strateg i këtij turneu, e fiton për herë të 5 në karrierë si askush tjetër më parë. Zikaltërit ishin superior në këtë finale, krijuan 22 raste, goditën 6 herë kuadratin, por ishin të pafat në shumë episode.
Blutë mbetën me 10-të lojtarë pas minutës së 60-të teksa Simeone u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Napoli u mbrojt me çdo formë, krijuan një mur të vërtetë, por në fund, në minutën e 91-të, Lautaro Martinez i ndëshkoi duke i dhuruar Interit trofeun e Superkupës së Italisë.
Feston me trofe edhe Kristjan Asllani, mesfushori kuqezi nuk u preferua asnjë minutë, por ky është një trofe i rëndësishëm që shton në CV e tij. Lojtari i ndeshjes u shpall kapiteni Martinez i cili nuk i fshehu emocionet për këtë trofe:
“Jam shumë i lumtur, Superkupa ishte një objektiv për këtë sezon. Pas u eliminuam nga Kupa e Italisë, kjo ishte një mundësi e madhe për të fituar një trofe. Jam krenar për këtë skuadër”, u shpreh Martinez i cili me këtë gol shkoi në kuotën e 123 golave me fanellën zikaltër duke barazuar Christian Vierin.