Vendbanimi i fortifikuar i Beltojës ndodhet rreth 2 km në vijë ajrore në jug të kalasë së Shkodrës, mes fshatrave Beltojë, Mali Hebej, Berdicë, në pjesën e sipërme të kodrës 168 m mbi nivelin e detit. Ai ka pozicion pak a shumë qendror në një zonë që në vështrim topografik dhe arkeologjik të tërheq vëmendjen.
Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Shkodër solli në kujtesë disa të dhëna mbi këtë vendbanim që përbën monument kulture të kategorisë së parë.
Në veri të qytezës ndodhet kalaja e Shkodrës, një vendbanim ky me vazhdimësi të gjatë jete. Në lindje, përveç një territori të gjerë fushor mes të cilit gjarpëron lumi Drin, shihen edhe vendbanimet ilire në Ganjollë, Gajtan, Rene.
Në perëndim syri përfshin një zonë të gjerë fushore deri afër detit Adriatik, ndërsa në jug, në kohë të mirë, vështrimi mund të hidhet deri afër qytetit të Lezhës.
Kodra ku ngrihet vendbanimi ka përmbajtje kryesisht prej shkëmbinjsh gëlqerorë, shpate të pjerrëta dhe mbrojtje të fortë natyrore. Pjesa e sipërme ka formën e një pllaje shumëkëndëshe, të përshtatshme për banimin e një grupi të vogël njerëzish; ka sipërfaqe afërsisht 0,8 ha, sot pjesërisht të dëmtuar nga punime të ndryshme.
Në vendosjen e qytezës, veç faktorëve të mësipërm, ka ndikuar edhe afërsia e vendbanimit me rrugët. Nëpërmjet lumit Buna ujërat e të cilit rrjedhin jo larg vendbanimit, në perëndim të tij, kalohet në detin Adriatik. Ndonëse mungojnë të dhëna të plota për rrugën tokësore Shkodër-Lissus, konfiguracioni i terrenit sugjeron për të kërkuar trase të saj diku pranë këtij vendbanimit, në lindje të tij./ata