Ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Jose Manuel Albares, ka bërë të ditur se deri më tani 88 vende mbështesin idenë e vendit të tij për një konferencë për të arritur paqen e qëndrueshme në Palestinë dhe Izrael.

“Plani u propozua nga kryeministri i Spanjës, u miratua nga 27 vendet anëtare të BE-së në tetor dhe tani është miratuar nga vendet në Ligën Arabe dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik”, tha Albares për transmetuesin spanjoll ‘Cadena Ser’.

Albares tha se plani i propozuar i paqes nuk ka të bëjë vetëm me bisedën për një zgjidhje me dy shtete, por ka të bëjë me njohjen dhe krijimin praktikisht të një shteti palestinez të zbatueshëm.

“Paqja njihet gjithashtu si njohja dhe krijimi i një shteti palestinez real dhe të zbatueshëm. Tashmë ekziston një shtet, Izraeli. Është tjetri që mungon dhe këtu do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona”, tha Albares.

Ai shtoi se qëllimi nuk është të “shtohet më shumë tension” në konflikt.

“Por nëse ndonjëra nga palët vepron me keqbesim dhe tregon se nuk është aspak e interesuar për paqen, Spanja nuk do të rri mënjanë dhe të mos bëjë asgjë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për paqen dhe të marrim vendime sovrane”, tha Albares, duke iu referuar angazhimit të Spanjës për të njohur shtetin palestinez.

Më tej, shefi i diplomacisë spanjolle tha se pas takimit të ministrave të Jashtëm që u mbajt dje në Bruksel, ai shpreson se gjatë konferencës së paqes i gjithë komuniteti ndërkombëtar do të mblidhet për të njohur Palestinën.

“Njohja e Palestinës nuk është një ide e bukur filozofike, ajo është thelbësore për qëllimin kryesor, që është paqja. Shpresa e popullit palestinez është e lidhur ngushtë me sigurinë e Izraelit. Si populli palestinez, ashtu edhe ai izraelit, kanë të njëjtën të drejtë për të jetuar në siguri, paqe dhe në një shtet të njohur”, tha Albares.

Ai pranoi se ndërkohë që ka konsensus rreth nevojës për një paqe të qëndrueshme, BE ende nuk po flet njëzëri për një armëpushim të përhershëm, diçka të cilën Spanja e proklamon.

“Është e vërtetë se ne nuk pajtohemi plotësisht, por jemi shumë më afër të kemi një zë të vetëm sesa ishim në tetor”, tha Albares, duke shpjeguar se “gjithnjë e më shumë” vende evropiane po i afrohen pikëpamjes së Spanjës.

I përkushtuar për de-përshkallëzim dhe shtyrjen përpara të procesit të paqes, sonte më vonë Albares do të udhëtojë në Bejrut të Libanit, ku pritet të takohet me kryeministrin Najib Mikati, një udhëtim i minutës së fundit i organizuar në takimin e javës së kaluar të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Pas Libanit, Albares do të vizitojë Irakun ku do të takohet me forcat ushtarake të Spanjës në vend, si dhe me presidentin dhe kryeministrin irakian./aa