Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka pësuar një disfatë pasi Dhoma e Lordëve votoi kundër projektligjit të tij të ri të Ruandës, i cili u miratua së fundmi në Dhomën e Komunave.
Dje, Dhoma e Sipërme votoi me 214 pro dhe 171 kundër mos ratifikimin e marrëveshjes, e cila në masë shihet si 'goditje' për kryeministrin Sunak mes polemikave rreth planit.
Javën e kaluar, shumica e deputetëve britanikë votuan për të mbështetur projekt-ligjin e diskutueshëm që do të lejonte qeverinë t'i dëbojë azilkërkuesit në vendin e Afrikës Lindore.
Pavarësisht disa kërcënimeve nga "rebelët konservatorë" për të rrëzuar projektligjin, ai kaloi leximin e tretë në Dhomën e Komunave.
Pas votimit, Sunak të enjten i bëri thirrje Dhomës së Lordëve të miratojë projektligjin, duke theksuar se tani është koha për të filluar fluturimet me azilkërkuesë në Ruanda.
Megjithatë, në një disfatë të madhe, Dhoma e Lordëve votoi për shtyrjen e traktatit të tij kryesor të imigracionit Britani e Madhe-Ruandë, në atë që thuhet se është hera e parë që ka votuar kundër ratifikimit të një traktati për më shumë se një dekadë.
Komiteti ndërpartiak tha se masat mbrojtëse në traktat janë "të paplota" dhe duhet të zbatohen përpara se të miratohet.
Projektligji i diskutueshëm synon të adresojë shqetësimet e Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar, e cila vendosi se plani i qeverisë për të dëbuar azilkërkuesit në vendin e Afrikës Lindore ishte i paligjshëm.
Projektligji detyron gjyqtarët ta konsiderojnë Ruandën si një vend të sigurt dhe u jep ministrave fuqinë të shpërfillin pjesë të Aktit të të Drejtave të Njeriut.
Plani i Ruandës është një nga planet më të diskutueshme të politikës së qeverisë për migracionin, pasi shkaktoi kritika ndërkombëtare dhe protesta masive në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Në janar të vitit të kaluar, Sunak tha se trajtimi i kalimeve me varka të vogla nga emigrantë të parregullt nëpër Kanalin Anglez është ndër pesë prioritetet e qeverisë së tij pasi më shumë se 45 mijë emigrantë mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar përmes kësaj rruge në vitin 2022./aa