Ministri francez i Punëve të Jashtme, Stephane Sejourne, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet dhe të kontribuojë në rindërtimin e Gazës që po përballet me sulme të vazhdueshme izraelite.

Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën, Sejourne e përshkroi situatën në enklavën palestineze si "tragjike" dhe tha se "i gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet të mobilizohet për të rindërtuar Gazën".

"Në dritën e asaj që është zhvilluar midis izraelitëve dhe palestinezëve, ka dy opsione për këtë këshill", tha ai, duke përmendur ata që zgjedhin të pushtojnë fqinjët e tyre si në Ukrainë, ashtu edhe në Lindjen e Mesme, si dhe që synojnë ndarjen dhe jo bashkimin.

"Unë, nga ana ime, do të bëj një zgjedhje të ndryshme duke thënë dy gjëra: Ne mundemi dhe ne duhet të qëndrojmë përkrah izraelitëve dhe palestinezëve. Ne mundemi dhe duhet t'u themi gjëra të vështira të dyja palëve", tha Sejourne, duke shtuar:

"Franca është një mik i Izraelit, ashtu siç është një mik i popullit palestinez. Prandaj, duhet t'i them Izraelit, i cili e kupton miqësinë e popullit francez, se duhet të ketë një shtet palestinez dhe se dhuna ndaj popullit palestinez, veçanërisht dhuna e kryer nga kolonët ekstremistë, duhet të merr fund dhe se ligji ndërkombëtar zbatohet për të gjithë”.

Teksa bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve në duart e grupit palestinez Hamas, Sejourne tha se njerëzit në Gaza po përjetojnë vuajtje.

"Ne duhet të veprojmë në favor të popullatës civile në Gaza dhe ne duhet të vendosim një armëpushim. Vuajtjet që ata kanë përjetuar janë të tmerrshme", tha ai.

Izraeli ka filluar një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, për të cilin Tel Aviv tha se vrau 1.200 njerëz.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, të paktën 25.490 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa 63.354 të tjerë janë plagosur./aa/