Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.

 

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në emër të Qeverisë së Republikës dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti i shprehu edhe njëherë ngushëllime presidentit Erdoğan, e përmes tij, familjarëve të viktimave të tërmetit dhe mbarë popullit të Türkiyes. Gjithashtu Kurti falënderoi presidentin Erdoğan për mikpritjen zemërgjerë në Istanbul me datën 3 shkurt, “ku patën një takim tejet produktiv që do të shërbejë për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe miqësisë së përhershme në mes të dy vendeve tona”.

 

Kryeministri Kurti tha se Kosova është vend jo i madh por me zemër të madhe, që ka dëshmuar bujari ndaj të gjithëve në ditët e tyre të vështira, së fundi edhe ndaj ukrainasve e afganëve.

 

“Kosova është dhe gjithmonë do të vazhdojë të qëndrojë pranë shteteve mike në ditët e tyre të vështira, posaçërisht Türkiyes”, theksoi Kurti.

 

Presidenti Erdoğan falënderoi kryeministrin Kurti për solidarizim të plotë me shtetin dhe popullin Türkiyes e cila po kalon fatkeqësinë më të rëndë në këtë shekull. Erdoğan falënderoi për vendimin për mbështetje dhe ndihma, për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që bënë kërkim-shpëtim në rrënoja dhe për shpalljen e ditës së zisë në Kosovë.

 

U bisedua edhe për takimin e fundit në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çfarë presidenti Erdoğan përshëndeti rezultatin e arritur, duke shprehur mbështetjen e tij kryeministrit Kurti dhe gatishmërinë për të ndihmuar./AA