Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu lançoi sot krijimin e Qendrës së parë Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”, një “binjakëzim” me menaxhim unik të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” me Spitalin Bashkiak të Kavajës.

Nga Kavaja, ministrja Koçiu nënvizoi se pas një dekade investimesh në sektorin e shëndetësisë, falë vullnetit dhe punës së qeverisë dhe MSHMS-së, tashmë po krijohen qendra ekselence për përmirësimin dhe rritjen më tej të shërbimeve shëndetësore më afër qytetarëve.

Mekëtë model të ri menaxhimi, pacientët nuk kanë më nevojë që të vijnë në Tiranë, por janë kirurgët, pneumologët, ortopedët, internistët ata që do të shkojnë pranë pacientit në Kavajë.

“Kemi një strukturë të re menaxhimi, një spital rajonal i cili do të ketë në fokus të tij shërbimin pranë qytetarit, pranë vendbanimit. Janë qytetarët e zonës së Kavajës edhe të Rrogozhinës të cilët do të mund të përfitojnë nga eksperienca dhe ekspertiza e kualifikuar e mjekëve profesionistë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi””, nënvizoi Koçiu.
Ajo u shpreh se, krijimi i qendrave rajonale, një model i ri menaxhimi spitalor, do të shtrihet në të gjithë vendin.

“Kjo strukturë e re menaxhimi do të sjellë një miradministrim jo vetëm të burimeve njerëzore, por edhe të dijes, profesionalizmit edhe të shërbimeve më të shpejta të cilat tashmë do të ofrohen pranë vendbanimit”, theksoi Koçiu.

Ministrja bëri të ditur se shërbimet e reja shëndetësore që do t’i shtohen Spitalit të Kavajës siç është edhe hapja për herë të parë e Klinikës së Rehabilitimit për Pacientët me Sëmundje Kronike Pulmonare.

Gjithashtu, në Spitalin e Kavajës është hapur pas tetë viteve shërbimi i kirurgjisë, i reanimacionit dhe i sallës operatore.

Falë vizitave periodike të mjekëve të “Shefqet Ndroqit”, në këtë qendër do të zgjerohet shërbimi mjekësor dhe kirurgjikal i ortopedisë, pneumologjisë dhe mjekësisë së brendshme.

“Në Qendrën Rajonale Spitalore të sapo krijuar ne do të kemi mundësi të ofrojmë kirurgji ortopedike. Do të shërbejë kjo strukturë spitalore gjithashtu edhe për rehabilitimin e atyre pacientëve të cilët kanë sëmundje kronike pulmonare dhe ndërkohë do të shërbejë edhe për fizioterapi, pediatri dhe të gjitha shërbimet e tjera të nevojshme për qytetarët e Kavajës, Rrogozhinës, por edhe të zonave për rreth saj”, nënvizoi ministrja.
Duke falënderuar të gjithë mjekët dhe infermierët që i janë bashkuar këtij vizioni dhe qëllimi të përbashkët, Koçiu ka nënvizuar se krijimi i kësaj qendre ekselence do të ofrojë shërbime më të specializuara edhe për turistët e shumtë që vizitojnë vendin tonë gjatë sezonit turistik.

“Kur mendon që sezoni turistik krijon një fluks të jashtëzakonshëm pacientësh që vijnë në Kavajë, në Durrës dhe në gjithë rrethinat gjatë sezonit veror dhe që do të duan dhe kanë nevojë për një shërbim shëndetësor më të specializuar, ne t’ua ofrojmë në këtë strukturë spitalore. Dhe nuk i mungon asgjë për ta ofruar në këtë strukturë spitalore”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë.

Drejtoresha e Qendrës Spitalore Rajonale të Tiranës, Silvana Bala deklaroi se “i gjithë qëllimi ynë për bashkimin dhe menaxhimin në këtë formë të krijimit të këtyre spitaleve gjigante rajonale është që kësaj popullate t’i vijë shërbimi sa më pranë, që t’i shërbehet në mënyrë sa më të kulturuar dhe në mënyrë sa më profesionale”.

Në klinikën e rehabilitimit, mjekja Bala tha se “do të shtrohen të sëmurë të cilët kanë deficite motore dhe për këtë arsye është ngritur një kabinet i fizioterapisë i cili do të jetë rehabilitues në dëmtimet motorike të tyre. Ndërkohë ne kemi të sëmurë kronikë pulmonarë të cilët normalisht do hospitalizohen për fizioterapinë pulmonare gjë e cila ka shumë vlerë për aftësimin pulmonar të tyre”./ata