Rusia ka pretenduar se avioni ushtarak rus me 74 persona në bord, që po udhëtonte për në Ukrainë për një shkëmbim të burgosurish, është rrëzuar nga forcat e armatosura të Ukrainës në rajonin e qytetit Belgorod.
“Në bord ishin 65 ushtarakë të kapur të forcave të armatosura të Ukrainës, gjashtë anëtarë të ekuipazhit të avionit dhe tre shoqërues. Ekuipazhi dhe të gjithë pasagjerët e avionit u vranë”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Ministria ruse e quajti incidentin “sulm terrorist” të organizuar me qëllimin për të akuzuar Rusinë për vrasjen e ushtarëve ukrainas.
“Avioni u shkatërrua nga forcat e armatosura të Ukrainës nga fshati Liptsy, rajoni i Kharkivit, duke përdorur një sistem raketash kundër-ajrore. Objektet e radarit të Forcave Ajrore të Rusisë regjistruan lëshimin e dy raketave ukrainase”, theksoi ministria ruse.
Më tej thuhet se autoritetet ukrainase ishin “mirë të vetëdijshme për transportin e planifikuar” me qëllim të shkëmbimit të mëtejshëm.
“Sipas marrërveshjes së arritur më herët, kjo ngjarje do të ndodhte pasdite në pikën e kontrollit Kolotilovka në kufirin ruso-ukrainas. Me kryerjen e këtij akti terrorist, udhëheqja ukrainase tregoi fytyrën e saj të vërtetë, ajo neglizhoi jetën e qytetarëve të saj”, tha ministria.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë koment nga autoritetet ukrainase./aa