Qeveria miratoi kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Kamzë-Vorë, Fier, Tiranë Rurale 2, Tiranë Rurale 1, Elbasan, Zonat e Stimuluara, Krujë, Gjirokastër, Vlorë, Kavajë, Lezhë dhe Durrës.
Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 357 679 111,64 lekë, për sipërfaqen 40 540,6 m².
Shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Të ardhurat, që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
Sipas këtij vendimi, drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Veri, Tiranë Jug, Kamzë-Vorë, Fier, Tiranë Rurale 2, Tiranë Rurale 1, Elbasan, Zonat e Stimuluara, Krujë, Gjirokastër, Vlorë, Kavajë, Lezhë dhe Durrës të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./ata