Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten një prioritet, tashmë i përforcuar me një paketë të re të mbështetjes për investimet në këto zona.

Kjo paketë do t’i hapë rrugë një zhvillimi intensiv, përmes inkurajimit dhe mbështetjes së investitorëve vendas, që kursimet e punës në emigracion, duan t’i investojnë në tokat e të parëve të tyre.

Kryeministri Edi Rama u takua sot në Theth me drejtues bujtinash dhe agroturizmesh nga ku njoftoi edhe zhvillimin më të ri.

“Kur them që Zoti e bëri Shqipërinë për telha ditën e dielë kur ishte pushim, kush nuk e beson duhet të vijë këtu në Theth të shohë se ku e ka vendosur pikën e parë kur e ka filluar pikturën nga maja deri poshtë, magji! Ja ku jam këtu sot me pararojën e Shqipërisë 2030, këtu në Theth. Tani jemi këtu me një duar shtrëngim solemn, që në 30 qershor këtu të gjithë do të kenë në dorë titullin e pronës së shumëpritur, që pasi i trashëguan nga stërgjyshërit, akoma nuk e kanë dot për arsye që janë të arsyeshme, por që prapë nuk duan t’i dëgjojnë më”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “më 30 qershor, shtëpitë e stërgjyshërve, ato që janë ndërtuar më pas dhe janë në procese për t’u legalizuar do të kthehen në certifikata pronësie dhe ndërkohë do të jetë gati dhe “Paketa e Maleve”.

“Paketa e Maleve do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme“, tha kryeministri në bisedën me ta.

Ndërkohë që më herët, kryeministri shpjegoi lidhur me paketën e re.

“Paketa e re e mbështetjes për investimet në këto male, do t’i hapë rrugë të gjithë atyre që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë dhe që kanë punuar pa pushim dhe që kanë kursyer e kursejnë që kursimet e tyre t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë, pa pasur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa pasur as nevojë të kalojnë në të gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë të shpërndarë lart e poshtë, me një mbështetje të fuqishme, qoftë në aspektin e dhënies së lejeve për të rihapur shtëpitë  e të parëve për të ndërtuar agroturizme, për të fituar shumë më tepër se ç’fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve atje ku janë”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “njëkohësisht për t’i dhënë mundësi ekonomisë që të fuqizohet edhe më shumë falë miliona e miliona turistëve që po mësyjnë në Shqipëri edhe më shumë këtë vit se 10 milionët e vitit të shkuar, që do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër punë për të gjithë zinxhirin e prodhimeve të vendit e mbi të gjitha shumë më tepër krenari për Shqipërinë”./ata