Kryeministri Edi Rama, nga Spanja, ku merr pjesë në panairin e turizmit “Madrid FITUR”, tha se fokusi i Shqipërisë tanimë është tek turizmi i qëndrueshëm.  Sipas kreut të qeverisë shqiptare, për të arritur këtë fokusi është tek turizmi cilësor dhe jo turizmi masiv, që sjell edhe dëmtim të mjedisit, por turizëm cilësor.

“Pas “Melia-s”, më duhet të them që sot janë afruar grupe të tjera spanjolle. Tani nuk  e kanë më problem të investojnë në Shqipëri, pasi të tjerë e kanë bërë përpara tyre. Dhe për vendet si tonat, që gjenden midis të qenit të fshehur dhe ambicies për të dal në pah është shumë e rëndësishme”, tha Rama.

“Ata që shkrinë akullin janë shumë të rëndësishëm. “Melia” ka qenë një shkrirëse e jashtëzakonshme e akullit. Kur vjen fjala për qëndrueshmërinë ka qenë sfidë e madhe. Na duhet të tregojmë shumë kujdes lidhur me zhvillimin, për të balancuar të tashmen dhe së ardhmes”, vijoi Rama.

“Një ekuilibër midis më shumë të ardhurave nga turizmi dhe nevojës për të ruajtur natyrën. Ne jemi bekuar me një vend në të cilin në një sipërfaqe shumë të vogël, Shqipëria është vetëm 28 000 km katror, është besojë një vend shumë shumë i larmishëm. Ndoshta një prej vendeve me larminë më të madhe pasi në këtë hapësirë ka 2 dete, 9 lumenj dhe shumë male. Në një distancë shumë të shkurtër mund të jesh në Spanjë dhe Zvicër në të njëjtën kohë. Në Amerikën e veriut dhe jugut sa i takon klimës. Kjo është vërtetë shumë e veçantë ndaj na duhet të gjejmë një ekuilibër. Ja pse jemi shumë të lumtur me atë që po bënë “Melia”. Duam të nxisim më shumë turizëm luksoz për të mos rënë viktimë e turizmit masiv, që në fund të fundit nuk i jep vendit aq përftim sa sjell dëme”, tha Rama./ata