Grupi palestinez Hamas ka përshëndetur qëndrimin egjiptian kundër kërcënimeve izraelite mbi "Korridorin e Filadelfias" në kufirin me Rripin e Gazës.
"Korridori i Filadelfias" është një rrip i ngushtë brenda territorit të Gazës, që shtrihet 14 kilometra përgjatë kufirit midis enklavës dhe Egjiptit.
Sipas marrëveshjes së Camp David-it të vitit 1979 midis Egjiptit dhe Izraelit, kjo rrugë është një zonë e çmilitarizuar që ishte nën kontrollin e Izraelit para se Tel Avivi të tërhiqej nga Rripi i Gazës në vitin 2005.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në mënyrë të përsëritur ka deklaruar javët e kaluara se zona e Korridorit të Filadelfias duhet të jetë nën kontrollin e Izraelit.
Në fillim të kësaj jave, Egjipti e paralajmëroi Izraelin se çdo kontroll ushtarak i korridorit do të dëmtonte marrëdhëniet midis Kajros dhe Tel Avivit.
“Ne vlerësojmë qëndrimet e Egjiptit kundër kërcënimeve nga pushtimi izraelit në lidhje me Korridorin e Filadelfias”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Hamasit, Taher Nounou.
Ai tha se pozicioni egjiptian “pasqyron mbështetjen e Kajros për popullin palestinez në këtë betejë historike dhe refuzimin e tij ndaj agresionit brutal kundër popullit tonë”.
Sipas medias izraelite Channel 13, presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, refuzoi një telefonatë nga Netanyahu në mes të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës.
Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse në territorin palestinez që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 25.700 palestinezë dhe duke plagosur 63.740 të tjerë.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërkohë më shumë se gjysma e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa