Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, bëri thirrje për fillimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me rrëzimin e avionit transportues ushtarak të llojit "İl-76" në rajonin Belgorod të Rusisë.
Në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale, Zelenskyy bëri të ditur se ka biseduar me ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov, shefin e shtabit të përgjithshëm Valerii Zaluzhnyi dhe zyrtarë të inteligjencës lidhur me avionin që u rrëzua në rajonin Belgorod.
"Diskutuam rrëzimin e avionit dhe shkëmbimin e pengjeve. Rusët po luajnë hapur me jetën e pengjeve ukrainas dhe ndjenjat e të afërmve të tyre. Duan të bëjnë presion mbi opinionin ukrainas", deklaroi Zelenskyy.
Ndër të tjera presidenti ukrainas vlerësoi se "më të rëndësishme tani janë të vërtetat".
"Kam udhëzuar ministrinë e jashtme që të informojë komunitetin ndërkombëtar për gjetjet tona në lidhje me rrëzimin e avionit. Si Ukrainë ne insistojmë për hetimin ndërkombëtar", u shpreh ai.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se në avionin İl-76 që u rrëzua dje në rajonin Belgorod ndodheshin 65 ushtarë ukrainas të marrë peng në konflikte, ekuipazhi prej 6 personash dhe 3 shoqërues./aa