Misioni rus në OKB njoftoi se Franca refuzoi kërkesën e Rusisë për të thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar rrëzimin e avionit ushtarak rus që transportonte robër lufte ukrainas për një shkëmbim.

Franca zgjodhi rrugën e "abuzimit të kompetencave të saj si kryesuese e Këshillit të Sigurimit në janar dhe refuzon të përmbushë kërkesën tonë për mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me sulmin terrorist nga regjimi i Kievit", shkroi në Telegarm Dmitry Polyansky, zv/ambasador i Rusisë në OKB.

Sipas tij, Franca po përpiqet të "blejë kohë" për Ukrainën që "të dalë me të paktën një lloj shpjegimi të besueshëm" për aksidentin tragjik.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi dje Ukrainën për rrëzimin e avionit ushtarak Il-76 që transportonte ushtarakë ukrainas të kapur për shkëmbim të robërve të luftës.

Në bord kishte 65 ushtarakë të forcave të armatosura të Ukrainës të kapur, gjashtë anëtarë të ekuipazhit të avionit dhe tre shoqërues. Ekuipazhi dhe të gjithë pasagjerët në aeroplan humbën jetën, sipas autoriteteve ruse, duke e quajtur atë "një sulm terrorist" i kurdisur për të akuzuar Rusinë për vrasjen e ushtarakëve ukrainas.

Autoritetet ukrainase ishin "mirë të njoftuar për transportin e planifikuar" paraprakisht, theksoi ministria./aa