Anëtarët e bordit ekzekutiv global të Institutit Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), duke përfshirë edhe laureaten e Çmimit Nobel për Paqe, Maria Ressa, i kërkuan Izraelit të ndalojë vrasjen e gazetarëve në Gaza.

Në një deklaratë të përbashkët, bordi ekzekutiv, i përbërë nga redaktorë kryesorë, gazetarë dhe botues nga 20 vende në mbarë botën, dënoi shënjestrimin e vazhdueshëm të gazetarëve, duke theksuar nevojën urgjente që Izraeli të respektojë rregullat e luftës dhe të sigurojë mbrojtjen e civilëve dhe personelit të mediave.

“Ky sulm i paprecedentë ndaj sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së shtypit nuk mund të tolerohet”, thuhet në deklaratë.

“Të paktën 80 gazetarë janë vrarë tani në Gaza dhe Libanin jugor që nga tetori, duke shënuar numrin më të madh të viktimave gazetarë në një zonë konflikti që nga themelimi i IPI-së në vitin 1950”, theksohet tutje.

Deklarata nënvizon imperativin që Izraeli t’u përmbahet ligjeve ndërkombëtare që rregullojnë konfliktin e armatosur, të cilat detyrojnë mbrojtjen e gazetarëve dhe civilëve. Organizata po ashtu bëri thirrje për një hetim transparent dhe të besueshëm për të gjitha rastet e vrasjeve të gazetarëve nga forcat izraelite, duke theksuar se shënjestrimi i gazetarëve përbën krim lufte.

“Ne po ngremë zërin tonë kolektiv për të protestuar për këtë humbje të padurueshme jetësh dhe për të kërkuar një fund të menjëhershëm të bombardimeve ndaj gazetarëve”, shtoi ajo.

Për më tepër, IPI-ja i kërkoi Izraelit t’u japë gazetarëve ndërkombëtarë qasje në Gaza, duke i lejuar ata të raportojnë lirshëm dhe të pavarur mbi situatën që po shpaloset në rajon.

Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor. Nga sulmet izraelite janë vrarë rreth 26.000 palestinezë dhe janë plagosur 63.740 të tjerë. Gati 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.

Lufta izraelite ka zhvendosur brenda 85 për qind të popullsisë së Gazës, e cila përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa më shumë se gjysma e infrastrukturës së enklavës, sipas OKB-së, është dëmtuar ose shkatërruar./aa