Pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) lëshoi një vendim të përkohshëm për Gazën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se vendimet e gjykatës janë "të detyrueshme".

"Sekretari i Përgjithshëm kujton se, në përputhje me Kartën dhe Statutin e Gjykatës, vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme dhe beson se të gjitha palët do të zbatojnë siç duhet Urdhrin e Gjykatës", tha Stephane Dujarric, zëdhënës i kreut të OKB-së.

Deklarata erdhi pasi GJND-ja urdhëroi Izraelin që "të marrë të gjitha masat brenda fuqisë së tij" për të parandaluar gjakderdhjen e mëtejshme në Gaza në përputhje me detyrimet e Konventës së Gjenocidit. Gjykata kërkoi gjithashtu lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve.

“Sekretari gjithashtu thekson udhëzimin e Gjykatës për Izraelin që të sigurojë me efekt të menjëhershëm që ushtria e tij të mos kryejë asnjë nga këto akte. Më tej, Sekretari nënvizon në mënyrë të veçantë urdhrin e Gjykatës për Izraelin për të siguruar ofrimin e shërbimeve bazë të nevojshme urgjentisht dhe ndihmës humanitare për të adresuar kushtet e pafavorshme të jetës me të cilat përballen palestinezët në Gaza", shtoi zëdhënësi.

Afrika e Jugut ngriti çështjen e gjenocidit kundër Izraelit në GJND në fund të dhjetorit dhe i kërkoi gjykatës të caktonte masa urgjente për t'i dhënë fund gjakderdhjes në Gaza, ku më shumë se 26 mijë palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori.

Gjykata gjithashtu urdhëroi Izraelin të marrë masa "të menjëhershme dhe efektive" për të mundësuar ofrimin e shërbimeve bazë të nevojshme urgjentisht dhe ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, por nuk urdhëroi një armëpushim./aa