I ashpër është treguar Ilir Meta me institucionet e reja të drejtësisë, ku sot i sulmoi hapur njëjtë si aleati i tij në arrest shtëpie, Sali Berisha. I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e Dumanit se nuk kanë frikë nga presionet politike për të hetuar as Metën e as Ramën, kreu i Partisë së Lirisë adresoi një sulm ‘frontal’ për SPAK dhe drejtuesin e saj.

Në konferencën për media, ai hodhi akuza se prokurorë të lidhur me qeverinë kanë marrë angazhime personale për ta goditur.

“Kam qenë gjithë jetën në hetim, e di që gjithashtu prokurorë jo që flirtojnë me politikën, që janë prodhimi më i drejtpërdrejtë të saj kanë marrë angazhime personale për tu marrë me Metën për arsye që i dinë mirë. Unë jam këtu, do jem gjithmonë këtu. Të jeni të sigurt se nuk ka asnjë forcë që mundet të zhbëjë PL si një parti të të vërtetave të mëdha”, tha Meta.

Sulmin për Altin Dumanin e adresoi duke e cilësuar si ‘zar’ të ish-kryeprokurorit Arben Rakipi.

“Njëkohësisht nuk ka asnjë zar të Arben Rakipit që për të legjitimuar kapjen e reformës në drejtësi nga Rama përmes shkatërrimit të proceseve kushtetuese, që nga zgjedhja e prokurorëve të përgjithshëm, betimet e anëtarëve të GJK tek Lana, e gjithë ato bëma të tjera, të godasë Ilir Metën që mbrojti reformën në drejtësi. Mbrojtje që u konfirmua edhe nga vetë komisioni i Venecias”, vijoi Meta.

Sipas Metës, SPAK është kthyer në komisariat policor të Edi Ramës, për të dëmtuar opozitën. Kreu i Partisë së Lirisë thotë se nuk i druhet as hetimit të tij, duke refuzuar të komentojë deklaratën e Dumanit, që pranoi hetimin e Metës.

“Lidhur me përpjekjet e Ramës për ta kthyer SPAK në një komisariat policor anti-opozitë për të shkatërruar pluralizmin politik nuk jam i surprizuar. Asnjëherë s’kam dashur të identifikoj këtë institucion me individë të caktuar që nuk flirtojnë me politikën, por janë prodhim i saj dhe para se të bënin betime me dorën në Kushtetutë kanë bërë betime të tjera që koha po i provon më së miri”, tha Meta.

Me Berishën, që pak ditë më parë u pyet në SPAK për aferën Partizani, Ilir Meta thotë se ka komunikuar në telefon.

"Kemi patur një përshëndetje telefonike me Berishën ku i kam shprehur solidaritetin tim. Kam patur takime me eksponentë të PD si Noka dhe të tjerë për të folur për situatën. Opozita po punon në disa drejtime. Sot zgjodha të tërheq vëmendjen tuaj për problemet ekonomike", tha Meta. 

Edhe pse jashtë parlamentit, Ilir Meta e ka ndjekur me vëmendje sherrin në Komisionin për Reformën Zgjedhore. Ai u shpreh se Kuvendi duhet të plotësojë kërkesën e Rithemelimit dhe Bardhit, ndërsa duke shigjetuar deputetët e Lulzim Bashës, shprehet se pranimi i një reforme farsë do të thotë se ke shitur zgjedhjet.