Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se kërkesa e deputetëve të Partisë Demokratike për përfshirjen e mocionit me debat është bërë në shkelje të rregullores, prandaj nuk është caktuar në rendin e ditës së kësaj seance.

 

“Po të ishit ju shumë serioz dhe të donit të bënit një mocion me debat do të kishit lexuar pak dhe do ta kishit sjellë në kohë, sepse ka disa afate edhe nëse do të kishte ardhur kërkesa dje nuk do të përfshihej”, tha Balla.

 

Balla ftoi Kuvendin të votojë kërkesën e deputetëve të PD-së për ndryshim të rendit të ditës.

 

“Interpelanca e parashikuar hyn e para pikë në rendin e ditës, prandaj mbyllim votimin për procesverbalin dhe procedojmë me kërkesën që kemi para dhe nesër mbledhim Konferencën e Kryetarëve për kërkesën për mocion me debat. Kuvendin nuk e pengoni dot”, tha Balla.

 

Balla tha se “ndryshimi i rendit të ditës duhet bërë si në formë edhe në përmbajtje jo në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit”.

 

“Kërkesa të tilla të deputetëve i paraqiten Konferencës së Kryetarëve që është autoriteti i vetëm që mund të shqyrtojë një kërkesë. Në kërkesë referohen dokumente të një shteti tjetër, do ishte mirë që deputetët kërkues t’ia vënë në dispozicion edhe anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve”, tha ai.

 

Balla tha se arsyeja e kësaj pamjeje të Kuvendit nuk ka të bëjë aspak me shqetësimin e tyre lidhur me një hetim në SHBA, pasi në atë hetim nuk ka asnjë zyrtar shqiptar nën hetim nga organet ligjzbatuese amerikane.

 

“Një javë më parë Shkëlzen Berisha ishte para SPAK. Hetimi i Gërdecit dhe i 21 Janarit për ne janë çështje themelore. Çdo përpjekje e juaja për të hequr vëmendjen nga hetimi i 21 Janarit dhe i Gërdecit është një përpjekje e kotë. Duke qenë se vazhdojmë të jemi në një situatë ku nuk marrim dot fjalën, shkelet rregullorja, kërkoj që kërkesa për ndryshim të rendit të ditës të procedohet me votim”, shtoi Balla./ATSH