Deputetja e Partisë Demokratike, Eralda Tase Bano përgëzoi sot Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk lejoi kalimin e ligjit për studentët e Mjekësisë.
“Jemi sot në pikën kur ky ligj do të rikthehet në parlament. Do të duhet punë dhe analizë e detajuar, për të sjellë në formë një projektligj i cili idealisht do të influencojë në përmirësimin e mungesave të theksuara në mjekë”, u shpreh ajo.
Bano theksoi se nga ana tjetër “mbetet për t’u parë sesi qeveria do t’i kundërpërgjigjet këtij impulsi dhe si do të veprojë Universiteti i Mjekësisë Tiranë me vendosjen e tarifave, të cilat në rast mosaplikimi të kontratës së detyrueshme, me rregull nuk duhet të aplikohen pasi çmimet absurde të dala nga këto institucione janë të papërballueshme nga studentët”.
“Mbetet për t’u vëzhguar Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Arsimit të Lartë dhe si do reagojë kjo agjenci në terren të këtij projektligji. Në vazhdim, ashtu sikundër edhe gjatë protestave, Partia Demokratike do të vazhdojë të mbështesë fort kauzën e studentëve të mjekësisë me gjithë arsenalin dhe mjetet që kemi në dispozicion. Lufta vazhdon dhe pse beteja e parë u fitua”, theksoi ajo./ata