Është zbardhur rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për Kosovën, e cila pritet të miratohet ditën e sotme.

 

Deputetët shqiptarë, të majtë dhe të djathtë përgatitën dy rezoluta, nga e cila arritën në një dakordësi, një hap ky historik.

 

Dokumenti në fjalë, i siguruar nga News24 thekson rëndësinë e mbrojtjes së interesave të përbashkëta dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa parashtrohen tre pika. Në këto tre pika kërkohet hetim ndërkombëtar për sulmin e 24 shtatorit, si dhe për faktin që qeveria e Kosovës të punojë me aleatët ndërkombëtarë.

 

REZOLUTA

 

Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës;

 

Në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon;

 

Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023;

 

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:

 

Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën plenare të datës 28 shtator 2023;

Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë, të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;

Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

KRYETARE

Lindita NIKOLLA

Miratohet, në datë ____________