Grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon përjashtimin e 4 deputetëve të opozitës. Bëhet fjalë për Bledion Nallbatin, Asllan Dogjanin, Flamur Noka dhe Gazmend Bardhi. Sipas Partisë Socialiste, katër deputetët janë përfshirë në krijimin e kaosit në seancën plenare të 5 shkurtit, si dhe bllokimin e punimeve në komisionin e Reformës Zgjedhore.
Në orën 15:00 pritet të mblidhet Sekretariati i Etikës për marrjen e masave ndëshkimore.
Në seancën e 5 shkurtit, deputetët e përjashtuar nga seanca plenare së bashku me ata të papërjashtuar u përplasën me gardën në hyrje të sallës së seancave plenare në Kuvend. Më tej, katër deputetët, Bardhi, Noka, Dogjani dhe Nallbati u futën në sallë, pasi nuk ishin të përjashtuar, duke bllokuar punimet e kuvendit 15 minuta pasi seanca kishte nisur.
I njëjti skenar u ndoq edhe tek Komisioni i Reformës Zgjedhore, ata sërish nuk lejuan punimet fizikisht dhe mbledhja është zhvendosur të premten e 9 shkurtit online. Në total deri më tani janë 19 deputetë të opozitës të përjashtuar, dhe nëse Komisioni i Etikës do të vendosë përjashtimin dhe të katër deputetëve, Bardhi, Dogjani, Nallbati dhe Noka, numri i ligjvënësve të përjashtuar do të shkojë në 23.
Deputetët e përjashtuar aktualisht janë: Ervin Salianji, Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Saimir Korreshi, Kasëm Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhafa, Lodovik Hasani, Luan Baçi./ata