Spitali Psikiatrik i Vlorës po rindërtohet tërësisht me buxhetin e shtetit sipas kushteve dhe standardeve më të mira.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjete sociale pamje nga punimet që kryhen aty për krijimin e ambienteve sa më familjare për pacientët që vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor.

“Në kantierin e Spitalit Psikiatrik të Vlorës, vijojnë intensivisht punimet për rindërtimin e kësaj godine me të gjitha standardet bashkëkohore dhe krijimin e ambienteve sa më familjare për trajtimin klinik dhe shërbimet multidisiplinore e sociale për pacientët që vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor”, shprehet Rama.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaron se “gjatë vitit 2024 vijojmë me zgjerimin e shërbimit me psikologë dhe punonjës socialë në kujdesin shëndetësor parësor duke rritur numrin e stafeve psiko-sociale, ngritjen e qendrave komunitare të shëndetit mendor në çdo qark”./ata