Në vitin 2023, vendi ynë ka importuar 26,8 miliardë lekë (255,7 mln euro) produkte farmaceutike, por vetëm rreth 12 miliardë lekë ose 44% janë mbuluar nga fondi i rimbursimit që vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare.

Në vitin 2023, importi i produkteve farmaceutike ndoqi një trend rënie pas rritjes së pazakontë gjatë pandemisë Covid-19.

Shqiptarët mbajnë një barrë të rëndë financiare për shërbimet shëndetësore, edhe pse në vendin tonë ato ofrohen falas. Në listat e rimbursimit është një gamë e ulët e produkteve farmaceutike dhe qytetarët shpesh përdorin fondet e veta për blerjen e medikamenteve.

Të dhëna ndërkombëtare tregojnë se vendi ynë ka ende një konsum të ulët për frymë të produkteve farmaceutike, por në të njëjtën kohë përballen me shpenzime të larta nga xhepi në krahasim me Rajonin dhe vendet e tjera të Europës.

Nga viti 2013 deri më 2022, importet e produkteve farmaceutike në vlerë u rritën me 11,3 miliardë lekë, ndërsa fondet për rimbursimin e medikamenteve u rritën me 3 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare. Kjo ecuri tregon se shpenzimet nga xhepi për blerjen e produkteve farmaceutike janë rritur vitet e fundit.

Vlera e importeve të produkteve farmaceutike ka ardhur në rritje të shpejtë nga viti në vit, sidomos pas pandemisë COVID-19, e cila ka rritur barrën e sëmundjeve në popullatë.

Më 2022, importet e produkteve farmaceutike arritën në 28 miliardë lekë, rreth 270 milionë euro, ndërsa fondi shtetërorë rimbursimit ishte 11,4 miliardë lekë.

Të dhënat tregojnë se pacientët shqiptarë financuan nga xhepi për blerjen e medikamenteve 61% të vlerës së produkteve farmaceutike të importuara më 2022 dhe 55% më 2023 për shkak të uljes së importeve.

Fondet e ulëta të rimbursimit kanë çuar konsumin e barnave drejt alternativave të lira që vijnë kryesisht nga Turqia, ndërkohë që përfaqësitë e kompanive shumëkombëshe janë tërhequr nga Shqipëria. Nga 13 të tilla që ishin para disa vitesh, tani janë vetëm 3.

Ad 
 
Unmute

Të dhëna më të detajuara tregojnë se shqiptarët kanë akses të ulët te barnat kryesore që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare, onkologjinë, autoimunet, nervoret etj.

Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike tregojnë se barnat e reja që kanë një trend të lartë shitje në tregjet europiane dhe ato të rajonit ende nuk kanë hyrë në tregun shqiptar.

Ato kushtojnë shumë dhe nuk janë të përballueshme për pacientët, pasi shteti nuk i rimburson. P.sh. në Shqipëri nuk janë të pranishme të tilla si Apixaban, Pembrolizumab që trajtojnë sëmundje autoimune.

Tregu shqiptar është në zhvillim e sipër, ku barnat tradicionale gjenerike dhe ato jashtë patentës përfaqësojnë 76%, ndërsa trajtimi spitalorë specializuar dhe me terapi inovative vetëm 24%.

Financimet e ulëta buxhetore bëhen shkak për rimbursim të ulët të medikamenteve, që kurojnë sëmundje të tilla si kanceri dhe Atoimunet./Monitor