Numri i personave që përfitojnë pagesën e papunësisë u rrit me 25% këtë vit, sipas të dhënave nga INSTAT.
Në tremujorin e parë të vitit 2024, rreth 3290 persona morën pagesën e papunësisë, e njohur ndryshe si asistenca sociale, nga 2467 persona që përfituan në tremujorin e parë të vitit 2023.
Rritja e personave me asistencë sociale nisi që në tremujorin e tretë të vitit 2023, si rrjedhojë e falimenteve që erdhën në bizneset e industrisë sidomos në sektorin fason. Rënia e Euros në këmbim me Lekun dhe rritja e pagës minimale bëri që shumë nënkontraktorë të fasonit të mbylleshin pasi punonin me marzhe të ulëta fitimi.
Burimet nga prodhuesit pohuan se numri i përfituesve do të ishte më i lartë, por nga kompanitë nuk kanë plotësuar kushtet dhe shumë punonjës ishin në të zezë. Të dhënat të tjera tregojnë se vitin e kaluar, 29 ndërmarrje me mbi 50 të punësuar nga sektorin e industrisë falimentuan.
Programet e pagesës së papunësisë janë pjesë e politikave shtetërore të punësimit, të cilat sigurojnë mbështetjen me të ardhura të të papunëve në momentin e daljes së tyre si të tillë, duke synuar krijimin e kushteve për rikthimin e tyre në tregun e punës.
Programet e Pagesës së Papunësisë synojnë të mbështesin financiarisht të gjithë punëkërkuesit e papunë në rast papunësie për shkak të shkurtimit të vendit të punës, ndërprerjes së kontratës së punës, falimentimit të ndërmarrjes, zvogëlimit të aktivitetit etj, duke lehtësuar sadopak përpjekjet e tyre drejt punësimit.
Një kushtet kryesore është që punonjësit të kenë kontribuar në sigurimin shoqëror për një periudhë të paktën 12 mujore gjithsej, (për çdo rast përfitimi). Por shoqatat e fasoneve pohojnë se ky kusht nuk është përmbushur nga shumë biznese që kanë falimentuar pasi nga kriza financiare nuk i kanë paguar sigurimet.
Pagesa e papunësisë është 50% e pagës minimale në shkallë vendi. Çdo përfituesi i paguhet e ardhura e papunësisë në varësi të periudhës së kontributit në sigurimet shoqërore derdhur nga punëdhënësi.
Përfituesit marrin 3 muaj përfitim, nëse kanë të paktën 12 muaj gjithsej kontribute të sigurimeve shoqërore (duke filluar nga përfitimi i fundit). 9 muaj përfitim, nëse kanë të paktën 5 vjet gjithsej kontribute të sigurimeve shoqërore.
Përfituesit duhet të kenë paraqitur kërkesën me shkrim për aplikim dhe të kenë plotësuar dokumentacionin përkatës, brenda 60 ditëve nga data e shkëputjes së marrëdhënieve financiare me punëdhënësin. Jashtë këtij afati përfituesit e humbasin të drejtën e pagesës së të ardhurës nga papunësia, me përjashtim të rasteve kur janë të paaftë për punë, e vërtetuar kjo me raport mjekësor ose dokumente shoqëruese, që kanë qenë të shtruar në spital (fletë hyrje dhe fletë dalje nga spitali).
Personat gra mbi 55 (pesëdhjetë e pesë) vjeç dhe burra mbi 60 (gjashtëdhjetë) vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 (dymbëdhjetë) muaj, me kusht që të kenë kontribuar 1(një) vit në sigurimet shoqërore për çdo rast përfitimi./Monitor