Arkitekti dhe urbanisti i njohur Artan Shkreli, ka publikuar disa foto të ish-Pazarit të Tiranës, atij në vend të të cilit, pasi u rrafshua nga komunistët, u ngrit godina sovjetike e Pallatit të Kulturës.

“….Një ditë para prishjes (ndonëse nuk u prish në një ditë)”, shkruan Shkreli në trajtë diciture, pa dhënë një qëndrim nëse ka qenë apo jo një krim urban apo kulturor. Kujtojmë se ndër ata që kanë shprehur brengë për prishjen e Pazarit të Ri ka qenë Fatos Lubonja, ithtar i së vjetrës, trashëgimisë.

Hamendësohet se nëse do qe sot, do pëbënte një prej atraksioneve të Tiranës, gjithnjë duke hamendësuar se Rilindja do e kuronte më së miri, nëse nga ana tjetër nuk do vendoste për ndonjë kullë aty. Hamendësimi për të parën vjen nga fakti i trajtimit të dy vatrave të trashëgimisë, Pazarit të Ri dhe Kalasë, dy modele të pakritikueshme rehabilitimi. Pazari i Vjetër do kishte rolin e një çarshie, e cila kudo ku është prezente në qytete ballkanike përbën një atraksion tërheqës.

Dhe si provë e humbjes së këtij atraksioni, është xhamia e Et’hem Beut, e cila përbën atraksionin më të tërheqës të qendrës së Tiranës, pa u konkuruar dot nga asnjë prej godinave të ansamblit arkitektural rreth e rrotull.  Tre godinat e atyshme të periudhës komuniste, Pallati i Kulturës, Muzeu Historik(ndërtuar gjithashtu në vend të një godine me vlera të veçanta arkitektonike e stilit italian – ish-Komitetit Ekzekutiv) si dhe Hotel Tirana, nuk kanë asnjë grimë tërheqjeje arkitekturore. /tesheshi.com/