Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, ka deklaruar se kthimi i terminaleve doganore në pronësi të shtetit ua ka lehtësuar bizneseve kostot financiare.

Në një tryezë të organizuar nga Dogana e Kosovës ku u shpalosën disa prej të arriturave si shkak i krijimit të lehtësirave, ku morën pjesë krerë të institucioneve financiare në vend dhe përfaqësues nga dogana, ministri Murati tha se Qeveria ka punuar për lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë.

Në kuadër të lehtësirave, Murati tha se sipas premtimit qeveritar, terminalet doganore dhe terminalet e mallrave u zëvendësuan në terminale shtetërorë në dy vitet e fundit dhe kjo pati sukses.

Sipas ministrit, me hapjen dhe zhdoganimin e plotë të Portit të Durrësit do të ulet kostoja për biznes.

"Disa prej hapave që janë marrë së fundmi për lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë është edhe kthimi në pronësi apo në operim shtetëror i terminaleve doganore, në mënyrë që të hiqet edhe barra administrative, por edhe kostoja financiare e cila ka qenë e madhe për shumë biznese. Në anën tjetër kemi filluar zhdoganimin e plotë në Portin e Durrësit që po ashtu e ulë koston për bizneset, sepse mund të përfshihen apo unifikohen disa prej kontrolleve dhe të ulen edhe kostot financiare për bizneset që kalojnë mallrat e tyre në atë port", ka thënë Murati.

Ministri Murati po ashtu tha se në tetorin e vitit 2023 është miratuar lirimi nga taksa doganore për disa prej lëndëve të para, gjithashtu edhe për pjesët rezervë të makinerive prodhuese, ashtu që prodhuesit të shtojnë vlerë në Kosovë.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, tha se sipas të dhënave ka rritje të eksportit në sasi, mirëpo rënie të vlerës, për shkak të disa faktorëve.

"Kemi pasur disa rënie dhe kërkesa në tregun ndërkombëtare që nuk janë trende të zakonshme. Për shembull tek energjia si kërkesë e cila në vitin 2022 ka pasur kërkesë shumë të madhe dhe krahasuar në vite, në vitin 2023 ka rënie prej 45 milionë më pak kërkesë se sa në vitin 2022", theksoi Llugaliu, duke shtuar se edhe dyshekët kanë pasur rënie të vlerës në eksport, ndërsa eksportet tjera e kanë zgjeruar gamën e tyre si zakonisht.

Ai shtoi se vit për vit, numri i kërkesave në tregtinë e jashtme rritet me 10 për qind derisa kapacitetet mbesin të njëjta./aa