Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për mbështetje më të fortë ushtarake nga vendet perëndimore, duke paralajmëruar se nëse Ukraina nuk mund ta mposht Rusinë, konflikti do të përshkallëzohet në një luftë të tretë botërore.

Duke folur për mediat gjermane, Zelenskyy tha se kancelari Olaf Scholz e ka kuptuar më mirë natyrën reale të kërcënimit pas takimit të tyre në Berlin vitin e kaluar dhe Gjermania ka filluar të rrisë mbështetjen e saj ushtarake.

"Përshtypja ime është se kancelari Scholz e ka kuptuar se Putini nuk është vetëm një emër, por një kërcënim dhe jo vetëm një kërcënim për Ukrainën", tha Zelenskyy për presidentin rus, gjatë intervistës së tij me transmetuesin publik ARD.

"Mendoj se kancelari Scholz e ndjen se nëse nuk rezistojmë, Rusia do të afrohet më shumë me Gjermaninë", tha ai duke shtuar se vendet evropiane dhe vendet baltike mund të jenë objektivi i ardhshëm i Rusisë pas Ukrainës.

"Kancelari Scholz e kupton se ekziston një rrezik i tillë dhe kjo është padyshim lufta e tretë botërore. Nëse Rusia godet këtë apo atë vend të NATO-s, në secilin rast do të nënkuptonte fillimin e Luftës së Tretë Botërore", theksoi Zelenskyy.

Ai përsëriti thirrjen e tij drejtuar vendeve perëndimore për të rritur mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe tha se pret që Gjermania të luajë rol udhëheqës në Evropë në lidhje me mbështetjen ushtarake për vendin e tij.

Rusia filloi "operacionin e saj special ushtarak" në Ukrainë në shkurt të vitit 2022./aa