Irani ka hedhur poshtë pretendimet për përfshirjen e tij në vrasjen e tre ushtarëve amerikanë në rajonin kufitar midis Sirisë dhe Jordanisë të dielën, duke thënë se "nuk ndërhyn" në vendimet e grupeve rajonale.

Në një deklaratë të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Nasser Kanaani tha se "grupet e rezistencës" në rajonin e Azisë Perëndimore "nuk marrin urdhra" nga Teherani për veprimet e tyre.

Irani "nuk ndërhyn" në vendimmarrjen e këtyre grupeve se "si të mbështesin popullin palestinez ose të mbrojnë veten dhe vendin e tyre nga agresioni dhe okupimi", shtoi ai.

Tre ushtarë amerikanë u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën në një sulm me dron vonë të dielën që kishte në objektiv një bazë të vogël ushtarake amerikan në Jordani, thanë zyrtarët amerikanë.

Kjo shënoi herën e parë që nga 7 tetori që trupat amerikane u vranë në sulmet e kryera nga grupet irakiane, duke shkaktuar reagime të forta nga zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë presidentin Joe Biden.

Biden u zotua të kërkojë llogari nga ata që janë përfshirë në sulm, duke pretenduar se ai "u krye nga grupe militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak".

Teherani, megjithatë, menjëherë mohoi çdo përfshirje në sulm. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA citoi misionin e përhershëm të vendit në OKB të thoshte se Irani nuk ka dorë në të.

Më herët, Rezistenca Islamike në Irak, një grup ombrellë milicësh, në një deklaratë mori përgjegjësinë për "një numër objektivash përgjatë kufirit Jordan-Siri, duke përfshirë kampin Al-Rukban", i cili është në afërsi të post bllokut ushtarak amerikane Tower 22.

Kanaani, duke hedhur poshtë pretendimin e SHBA-së, tha se Irani "monitoron zhvillimet në rajon me gatishmëri dhe vigjilencë" dhe paralajmëroi se përgjegjësia për pasojat e "akuzave provokuese" bie tek ata që bëjnë "pretendime të pabaza".

Zëdhënësi tha se Teherani ka paralajmëruar vazhdimisht për "rrezikun e zgjerimit të fushës së konfliktit në rajon" në mes të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Gaza, si dhe "mbështetjes së SHBA ndaj gjenocidit të palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor".

"Lufta në Gaza nuk është zgjidhja dhe përfundimi i sulmeve të regjimit sionist ndaj Gazës, kurse një armëpushim i menjëhershëm mund të jetë baza për kthimin e paqes në rajon", shtoi ai./aa